Transmetuar më 05-12-2019, 08:00

Nga mbledhja e mëngjesit të sotëm e qeverisë lidhur me përballimin e situatës pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama zbuloi se ku do të ndërtohen lagjet e reja në Tiranë.

Ai bëri me dije së në Tiranë, do të ndërtohen tre lagje të reja, ndërsa në Durrës dhe në Laç nga një.

Rama deklaroi se në Durrës do të bëhet një lagje të re, por rreth saj duhet të jenë shumë të kujdesshëm në pikat ku janë krijuar hapësira për shkak të shembjeve.

Ai kërkoi që të jenë hapësira që të shihen si potencial për zhvillimin e qytetit edhe me parqet e kujtesës për çfarë ndodhi, si dhe me infrastrukturën sociale për çfarë ndodhi.

Ndërsa për Tiranën u ndal në zonën e Kombinatit, ku kërkoi prishjen e gjithë godinave problematike dhe ndërtimin e një blloku të ri banesash për të akomoduar gjithë ata njerëz që do të humbasin shtëpinë aty me parametra krejt të tjera.

“Një pikë tjetër lagjeje të re do të jetë te “5 Maji”, pranë lumit është një zonë ku ne mund të bëjmë spostime se pjesët më të prekura brenda qytetit janë Kombinati dhe zona e njësisë 4, por mund të bëjmë spostime pa iu spostuar jetën në të njëjtën hapësirë gjeografike. Dhe një tjetër në ish-Uzina e Autrotraktorëve, më e vogël, por e nevojshme”, u shpreh Rama.

Lidhur me këto lagje të reja ai tha se krijojnë hapësirën për programin e rindërtimit me objektiv afatmesëm 10 mijë apartamente dhe afatshkurtër, 12-18 muaj, 5 mijë apartamente.

“Në pranverë do të hapim të gjithë kantieret. Në Laç duhet të hapet menjëherë sa më shpejt. Jemi komunikim me agjencinë shtetërore të strehimit të Turqisë që ai premtimi i Erdogan për 500 shtëpi të fillojë të realizohet dhe aty kemi bllokun më kompakt dhe hapësirën më të mundshme për të vepruar tani. Në Tiranë dhe Durrës duhet të planifikojmë ndërkohë që në Laç infrastruktura është aty, ujë, kanalizime etj.,” deklaroi Kryeministri. /a.y/noa.al/

Rama i prerë me ndërtuesit: Do falimentoni! Të dielën, konferenca e donatorëve