Transmetuar më 02-12-2019, 22:25

Ditën e sotme u mbajt ceremonia e fitimit të Ballon D’or (Topit të Artë), në teatrin “Du Chatelet”, në Paris.

Në ceremoni ishin të ftuar shumë figura të njohura nga bota e futbollit, duke përfshirë futbollistë që luajnë në ekipet kryesore të Europës, si edhe trajnerët më me zë të momentit gjithashtu edhe presidentet e ekipeve kryesore por jo vetëm.

Fituesi i këtij edicioni të Topit të Artë u shpall Lionel Mesi.

Argjentinasi e kishte fituar pesë herë këtë trofe dhe ishte në barazim me rivalin e tij më të madh Cristiano Ronaldon, por me fitimin e këtij edicioni ai arriti një tjetër rekord nga shumë të arritur në karrierën e tij futbollistike, duke u shpallur lojtari i parë në historinë e futbollit që regjistron 6 trofe në radhët e tij.

Ajo që ra në sy në këtë ceremoni, ishte mungesa e sulmuesit Cristiano Ronaldo.

Luzitani e ka fituar 5 herë këtë trofe, dhe mungesën e tij në këtë ceremoni e justifikoi duke u shprehur se ditën e sotme ishte i ftuar në një natë tjetër gala dhe nuk mundej dot të ishte i pranishëm.

Nuk është hera e parë që portugezi mungon në këtë mbrëmje të fitimit të çmimeve më kryesore në aspektin personal për një futbollist.

Kujtojmë që vitin e kaluar, këtë çmim e fitoi mesfushori i Real Madrid Luka Modric./a.k/noa.al/