Transmetuar më 19-11-2019, 14:03
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, duke folur për reformën zgjedhore, tha se prania e partisë që ai përfaqëson, tregon angazhimin lidhur më këtë çështje.

Teksa foli ditën e sotme pas tryezës së OSBE për reformën zgjedhore, Kaso tha se ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre lidhur me pikat e dobëta për financimin e partive.

Ai deklaroi se nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre ndaj propozimit tonë për financim 100% nga shteti dhe kriminalizimin e fondeve private.

“Opozita i përgjigjet pozitivisht cdo ftese të partnerëve për të marrë pjesë në një tryezë që synon të japë zgjidhje të vërteta. Financimi i partive kërkon kontributin e të gjitha palëve. Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret. Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100% të financimit publik. I takon klasës politike që të miratohet dhe zbatohet”, u shpreh Kaso.

Lidhur me propozimin e LSI për një sistem miks, zyrtari demokrat deklaroi se është edhe diskutim i brendshëm.

I pyetur nëse do të ishin për zgjedhje me këtë reformë, ai përmendi për zgjedhje të parakohshme dhe për këtë tha se reforma nuk përfundon nesër.

Sipas Kasos, opozita me anë të ekspertëve do të bëjë ç’është e mundur që propozimet e saj të detajuara të jenë në dispozicion të publikut sa më parë që të jetë e mundur.

“Hapat e tjerë të miratimit formal që duhet të kalojë reforma dalin tej mundësive tona dhe nuk mund të parashikojmë”, deklaroi ai.

Në vijim tha se propozimet e opozitës do të materializohen me një draft. /a.y/noa.al/