Transmetuar më 19-11-2019, 10:30

Pas afro një orë e gjysmë, ka përfunduar takimi i Presidentit Ilir Meta me kryedemokratin Lulzim Basha dhe aleatët e opozitës së bashkuar.

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi deklaroi se “Presidenca do dalë vetë me deklaratë pak më vonë. Edhe zoti Basha do të mbajë një deklaratë më vonë”.

Takimi i ditës së sotme vjen pasi Gjykata Kushtetuese ndodhet në ngërç pasi për të njëjtin vend Parlamenti votoi të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin, ndërsa Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Kështu në vijim të konsultimeve lidhur me këtë situatë, Presidenti Ilir Meta takon sot liderin e opozitës dhe aleatët e tjerë të opozitës joparlamentare.

Takimi mes Ilir Metës, Lulzim Bashës dhe krerëve të partive opozitare nisi në orën 09.00. 

Krahas Bashës, pjesë e takimit ishin Nard Ndoka i kristiandemokratëve, Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste, Vangjel Dule i PBDNJ, Mesila Doda e PDIU, Dashamir Shehi i LZHK dhe Arjan Madhi i Partisë Republikane. /a.y/noa.al/