Transmetuar më 18-11-2019, 09:17

Presidenti Ilir Meta gjatë konferencës ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” të organizuar në bashkërendim me Departamentin e Shtetit të SHBA, deklaroi se harmonia fetare në Shqipëri është shembull dhe frymëzim për mbarë botën.

Ai tha se besimi i vërtetë ka një forcë bashkuese të pabesueshme dhe se besa e shqiptarëve bëri që asnjë hebre të mos dorëzohet te armiku.

“E drejta për të ndekur bindjen fetare është themelore për çdo shqiptar, por sot vetëm 20% e popujve të botës kanë të drejtën të ushtrojnë lirisht besimin e tyre. Shumë bashkësi myslimane gjykohen vetëm nga pamja e tyre e jashtme, por feja duhet të jetë instrument për paqe”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se të gjithë kanë angazhime kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ndaj për terrorizmin tha se lind nga varfëria, mungesa e shpresës për të ardhmen dhe keqqeverisja.

“Ne po hasim një nivel të ri emigracioni, mos e lejoni që Shqipëria të përjetojë dimrin demografik të Europës. Ne lutemi që rinia jonë ta ndërtojë këtu të ardhmen dhe bijtë e larguar të shqipes të kthehen në vendin tonë”, deklaroi Meta.

Kreu i shtetit cilësoi si problematikë, blerjen e tokës nga kishat dhe xhamitë, ku nënvizoi domosdoshmërinë e kthimit të pronave. /a.y/noa.al/