Transmetuar më 18-11-2019, 07:45

Pagat në ekonomi pritet të rriten me ritme më të përshpejtuara vitet në vijim për shkak të ndryshimeve strukturore në tregun e punës. Kërkesa e lartë për punësim në disa sektorë, teksa forca e punës ka ndalur rritjen do të krijojë kushtet për rritjen e pagave në vitet në vijim. Banka e Shqipërisë parashikon se, për këtë arsye përgjatë periudhës afatmesme inflacioni do të ndikohet nga rritja e pagave.

“Vlerësimet tona sugjerojnë se ekonomia po operon në kushtet e një shfrytëzimi më të plotë të kapaciteteve të lira në tregun e punës. Duke mbajtur parasysh kohëvonesën e reagimit të pagave ndaj mbylljes së hendekut të shkallës së papunësisë gjatë tremujorëve më të fundit, në të ardhmen pritet një shtim i presioneve rritëse në paga, duke kontribuuar në kthimin e inflacionit drejt objektivit në periudhën afatmesme”, analizoi Banka.

Kështu për shembull, rritja mesatare e pagës gjatë periudhës 2015- 2019 ka qenë relativisht më e shpejtë në sektorin e shërbimeve, jo vetëm në degë me pagë mbi nivelin mesatar të pagës në ekonomi (“Pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale dhe shërbime mbështetëse”), por edhe në degë me pagë nën nivelin mesatar të pagës në ekonomi (“Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”).

Por, nga ana tjetër një sërë faktorësh strukturorë, si rritja e peshës së popullsisë së përqendruar në zonat urbane, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes së femrave në forcat e punës, në kushtet kur ato paguhen me një pagë mesatare më të ulët se meshkujt, si edhe fenomeni i mospërputhjes së aftësive të kërkuara me ato të ofruara, gjithashtu mund të përcaktojnë ecurinë e pagave në ekonominë vendase me ritme me te moderuara.

Por deri në gjashtëmujorin e parë 2019 rritja e pagës mesatare në ekonomi ka rezultuar më e ngadaltë, me gjithë dinamikat pozitive në tregun e punës. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë është rritur mesatarisht me 2.5% në terma nominalë dhe me 0.7% në terma realë, gjatë periudhës 2015- tremujori i dytë 2019.

Gjatë kësaj periudhe, treguesi ka shënuar rritje mesatare lehtësisht më të lartë në sektorin shtetëror kundrejt rritjes së rezultuar në sektorin privat.

Rritja e pagës sipas aktiviteteve ekonomike ka qenë relativisht më e shpejtë në degë të sektorit të shërbimeve si “Pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale dhe shërbime mbështetëse” (mesatarisht me 5.5%) dhe “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” (mesatarisht me 4.3%), shkruan ‘monitor’.

Sipas gjinisë, paga mesatare për meshkujt jo vetëm mbetet më e lartë se për femrat , por edhe është rritur me një ritëm mesatar vjetor lehtësisht më të lartë. Ndërkohë, gjatë viteve 2017 dhe 2018, treguesi i pagës është rritur mesatarisht me 3.0% dhe 3.1%, ndërkohë që në gjysmën e parë të këtij viti rritja vjetore rezultoi më e lartë, rreth 4.7%. Një ndikim në rritje kanë dhënë edhe vendimet për rritjen e pagës minimale në vend, si edhe rritja e pagës mesatare për segmente të caktuara të të punësuarve në sektorin publik.