Transmetuar më 12-11-2019, 20:20

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora solli këtë të martë denoncimin e shtetasit Myrteza Lufi.

Në vitin 2008, Lufi blen një makinë tip "Benz" të z. Kadri Lika. Kontrata e shitblerjes se mjetit u bë konform rregullave pranë një noteri.

Në kontratën e firmosur prej 2 palëve, shitësi i mjetit ka deklaruar se e njeh përgjegjësine ligjore dhe penale për dokumenta të falsifikuara të mjetit, gjithashtu garanton blerësin se ky mjet nuk ka probleme.

Për 9 vite Myrteza Lufi e ka përdorur makinën rregullisht duke i prerë letrat çdo vit sipas ligjit, por në vitin 2017 ka ndodhur e papritura.

Myrteza Lufi: Më 20 shkurt 2017 vajta për të prerë letrat e makinës dhe makina pas 9 vitesh që e kam përdorur doli e vjedhur. Ma bllokoi policia. Erdhi oficeri i policisë gjyqësore te shtëpia, bëri procesverbal dhe ma mori makinën. Pas ca kohësh më thirri të marr makinën. Vajta, se kishte lexuar vendimin e prokurorisë, më fal tha makina i kthehet personit. Unë e kam blerë makinën, se kam vjedhur. Ja kam blerë Kadri Likës nga Bulqiza. Deri sot nuk më kanë kthyer përgjigje. Makina sipas policisë është vjedhur në Maqedoni nga një shtetas nga Elbasani. 9 vjet nuk më kapën. Leja e qarkullimit ka numrin e shasisë. I kam prerë letrat çdo vit deri në 20 shkurt të 2017 kur më thanë se makina është e vjedhur. Ku ka qenë shteti 9 vjet?

Myrtezai shkon te Drejtoria e Policisë për të takuar oficerin e policisë gjyqësore Kledian Çaushi.

Nuk arrin ta takojë,  por në komunikimin që pati me të në telefon i thotë se do ta hapë dosjen që ta shikojë dhe më pas do t’i kthejë përgjigje.

Premtimi u dha por përgjigjia nuk erdhi. Në këto kushte, pranë Drejtorisë u paraqit edhe gazetarja e "BOOM" por i njëjti rezultat.

Informacion është e pamundur të marrësh edhe te Rezervat e Shtetit, pasi duhet që OPGJ i cili ka sekuestruar mjetin të japë një vërtetim që shtetasit ti jepet informacion.