Transmetuar më 12-11-2019, 17:28

Rojet Bregdetare të Barit ndaluan tragetin e pasagjerëve "Aurelia", që ishte bërë gati të udhëtonte drejt Durrësit, me një numër të lartë pasagjerësh, pasi nuk plotësonte standardet më minimale të sigurisë.

Trageti mbante flamur qipriot, dhe i përkiste kompanisë "MSC Shipmanagement Ltd". Kjo e fundit i kishte njoftuar autoritetet italiane se dëshironte ta përdorte atë për linjën Bari-Durrrës.

Por pas Inspektimeve – teksa trageti u bë gati të nisje nga Bari sot me 1.730 pasagjerë, autoritetet italiane e bllokuan atë dhe njerëzit u zbritën të gjithë në tokë.

Sipas Ansa, pas kontrollit dolën në pah mangësi serioze në motorin e anijes dhe veçanërisht me pajisjet e zjarrfikësve, si dhe përgatitjen jo adekuate të ekuipazhit në menaxhimin e emergjencave. Garda Bregdetare theksoi se trageti nuk respektonte standardet më minimale mbi legjislacionin ndërkombëtar për sigurinë e lundrimit, ndaj edhe u ndalua të udhëtonte sot drejt Durrësit.

"Aurelia" mund të lundrojë vetëm kur të plotësojë standardet minimale të nevojshme dhe për këtë duhet të marrë autorizimin përkatës. Ndërsa mbi 1 mijë shqiptarë u është dashur të presin apo të bëjnë plane për një udhëtim tjetër. /NOA.al