Transmetuar më 12-11-2019, 14:30
Parate e sekuestruara

Një operacion i policisë së Matit i koduar “Ulëza” është kurorëzuar pas gjashtë muajsh hetime, duke vënë në pranga dy persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.

Të arrestuarit janë R. T., 32 vjeç dhe N. T., 33 vjeç, banues në Ulëz, Mat, të cilët u prangosën pasditen e kësaj të hëne në vijim të operacionit të shtrirë për muaj, ku gjatë kësaj periudhe janë goditur disa raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Krahas tyre është shpallur në kërkim edhe E. Ll., 29 vjeç, banues në Baz, Mat.

Në afërsi të shkollës së mesme të Njësisë Administrative Baz, të dyshuarit janë kapur në flagrancë, nga policia, në momentin që po shkëmbenin një sasi lekësh me njëri- tjetrin, e cila dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri- tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga policia gjatë kontrolleve të territorit.

Në cilësinë e provës materialer u sekuestruan 6 400 euro, 24 100 lekë të reja, 45 gramë lëndë narkotike, një orë dore dhe një aparat celular.

Aktualisht vijojnë hetimet për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme, ndërkohë që ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Matit, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. /a.y/noa.al/