Transmetuar më 12-11-2019, 11:53

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka sqaruar procedurën që do ndiqet për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përgjithshëm.

Ibrahimi tha se asnjë nga kandidatët në garë nuk ka rezultuar në konflikt interesi, ndërkohë që shtoi se brenda 30 ditëve do të emërohet Prokurori i ri i Përgjithshëm.

Ai tha se në rast se Kuvendi nuk do të arrijë të votojë me konsensus një nga kandidatet që do t’i dërgohet nga KLP, atëherë do të miratohet automatikisht kandidati i parë në listë që do të caktojë KLP-ja.

“Në legjislacionin e ri ka një mekanizëm zhbllokues dhe në rast se nuk arrihet të sigurohet numri i nevojshëm që është 84 për emërimin e prokurorit të përgjithshëm, parlamenti mund të emërojë të tretin në listë, ose të dytin, natyrisht dhe të parin. Shpresoj se do votojë të parin. Por në rast se Kuvendi nuk arrijnë të mobilizohet dhe të sigurojë këtë numër votash atëherë, renditja jonë prevalon dhe prokuror do të jetë ai që ne rendisim të parin. Kështu që në rastin më të keq, 30 ditë nga e pasnesërmja Shqipëria do të ketë prokurorin e ri”, tha Ibrahimi.

Në garë për postin e kryeprokurorit, garon, Arta Marku, Olsjan Çela dhe Fatjona Memçja.

Për sa i përket ngritjes së SPAK, Ibrahimi deklaroi se më 25 nëntor do të bëhet gati lista me 8 prokurorët që kanë kaluar Vetingun. Më pas do të marrë kohën e vet edhe këshilli deri në fazat përfundimtare.

"SPAK më 25 nëntor do të merret vendimi për prokurorët që kanë kaluar vendimin. Do të jetë në dorën e Këshillit kjo. Me dy tre javë kohë më pas do të konvertohet. Është proces që kërkon deklarime. Duhet pak kohë për zgjedhjen e SPAK dhe zgjedhjen në administratë në SPAK. " tha ai./b.l/noa.al/