Transmetuar më 12-11-2019, 11:27

Gjykata e Tiranës ka dhënë dënimin ditën e sotme për 23-vjeçaren Marjana Çmeta, duke e shpallur fajtore për helmimin e vjehrrës së saj.

E reja u dënua me 32 vite burg, përkundër 35 viteve që kishte kërkuar Prokuroria.

Marjana Çmeta u shpall fajtore për krimin e kryer dy vite më parë, ku si pasojë e hedhjes së helmit në pije, gjeti vdekjen Lirie Lami.

Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje por pas dyshimeve të familjarëve, policia arriti që të zbardhë të vërtetën. Krahas 23-vjeçares policia arrestoi pas ngjarjes për moskallëzim krimi edhe bashkëshortin e viktimës Agim Lami, hoxhën Hysen Shehu dhe mikun e tij Arben Sakiun.

Hoxha Hysen Shehu, ndihmoi në zbardhjen e ngjarjes, duke treguar se kishte bërë regjistrimin me video gjatë rrëfimit që kishte bërë Marjana, ku pranonte se kishte vrarë nënën e të shoqit.

Por Hoxha deklaroi se nuk ia lejonte feja që të bënte kallëzime për rrëfimet e besimtarëve. Po ashtu ai deklaroi se në fillim ka menduar se Marjana Çmeta kishte çrregullime mendore dhe se nuk ka besuar se Lirie Lami është vrarë prej saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 prill të vitit 2017 në Kamëz, ku Marjana e cila asokohe ishte shtatzënë, i hodhi fostoksinë në gotën me lëng portokalli vjehrrës së saj Liries. /a.y/noa.al/