Transmetuar më 12-11-2019, 11:06

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot me 11 vota pro metodologjinë orientuese për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Ky është një dokument ndihmës për Këshillin dhe do të ketë përdorim të brendshëm për lehtësimin e veprimtarisë së tij në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Këshilli administron deklarimin dhe dorëzimin nga ana e anëtarëve të KLP-së i deklaratave, lidhur me pengesat ligjore dhe konfliktin e interesave në kuadër të procesit të vlerësimit/renditjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Anëtari i KLP, Tartar Bazaj jep shpjegime para Këshillit se nuk ka konflikt interesi me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, e cila kandidon për këtë post, sipas Ligjit nr. 9367/ 2005 “”Për parandalimi të konfliktit të interesit për personat që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të cilin mund ta pengojë të marrë pjesë në fazat të fundit të procesit e përzgjedhjes të kandidatëve  për Prokuror të Përgjithshme.

Arta Marku ka filluar procedimin e verifikimit të figurës se Bazaj për kallëzimin ndaj tij nga gazetari Artur Çani.

Sipas dispozitave tranzitore, Marku mund të nisë hetimin disiplinor, por nuk ka kompetencë për të dhënë masa disiplinore. Marku ka hequr dorë nga shqyrtimi i dosjes së Tartar Bazaj duke deleguar këtë kompetencë.

Për rastin e z. Bazaj nëse ka apo jo konflikt interesi, Këshilli votoi me 2 vota pro (Ibrahimi dhe Beluri mendojnë se Bazaj është në konflikt interesi) dhe 9 vota kundër.

Për rastin e Esmeralda Keshit, Këshilli votoi me 1 votë pro ( Beluri mendon se znj Keshi ka konflikt interesi) dhe 9 vota kundër./b.l/noa.al/