Transmetuar më 12-11-2019, 10:16

Policia e Tiranës del me deklaratë lidhur me përplasjen e ndodhur në zonën e Unazës së Re.

Bëhet me dije se gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e policisë.

Policia thotë se banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.

Si pasojë e sulmit mbi policinë janë plagosur pesë punonjës të policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.

Gjithashtu edhe shtatë banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.

Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

Qysh prej orës 06.00 të mëngjesit të sotëm, protestuesit e Unazës së Re kanë dalë në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.

Teksa fillimisht situata nisi me konfrontim fizik, më tej banorët kanë përdorur edhe gurë dhe bomba molotov, duke bërë që në disa objekte të bjerë zjarr. Nga ana e saj policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Si pasojë e konfrontimeve kanë mbetur të lënduar së paku dhjetë persona, mes tyre qytetarë protestues dhe efektivë të policisë, të cilët janë dërguar për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital. /a.y/noa.al/ Protestuesit e Unazës së Re e ndezin “zjarr”, përplasje me policinë, gurë dhe bomba molotov/ Ka të lënduar

Konfrontime te “Astiri”, forca të shumta policie dhe qytetarë të shtrirë përtokë