Transmetuar më 12-11-2019, 10:05

Gjetja e diamanteve është diçka e vështirë, por të gjesh dy, ku njëri është brenda tjetrit është diçka e pazakontë. Është pikërisht kjo ajo që ka ndodhur në një minierë ruse në Siberi, të kompanisë “Alrosa”, ku u zbulua diamanti Matryoshka (emër i dhënë në nder të kukullave ruse matrioshka), një diamant i vogël brenda të cilit gjendet një tjetër diamant, i cili lëviz lirisht.

Diamanti Matryoshka është shumë i vogël pasi peshon vetëm 0.124 gramë dhe është 0.62 karatë, si dhe ka përmasa 4.8 me 4.9 dhe 2.8 milimetra.

Ndërsa diamanti që ka brenda është shumë më i vogël, vetëm 0.004 gramë dhe 0.02 karatë me përmasa 1.9, 2.1 dhe 0.6 milimetër.

Ekspertët e nënshtruan diamantin ndaj një mikrotomografie me rreze X, prej nga u mor dhe konfirmimi për diamantin e rrallë.

Oleg Kovalchuk i Enterprise and Development Geological Enterprise, thotë se, “Gjëja më interesante dhe e pabesueshme është se diamanti më i vogël, është ishkëputur nga i madhi dhe ka hapësirë përreth për të lëvizur lirisht”.

Paraprakisht mendohet se diamanti mund të jetë krijuar 800 milionë vite më parë, ndërkohë që konfirmimi zyrtar do të vijë nga ekzaminimi që do i bëhet nga Gemological Institute of America, shkruan noa.al. Deri më tani nuk ekziston një diamant i tillë dhe krahas vlerës financiare, vlen më shumë për veçantinë e tij, duke u regjistruar si guri i parë i çmuar i kësaj natyre, në histori. /a.y/noa.al/