Transmetuar më 12-11-2019, 08:15

Qysh prej orës 06.00 të mëngjesit të sotëm, protestuesit e Unazës së Re kanë dalë në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.

Teksa fillimisht situata nisi me konfrontim fizik, më tej banorët kanë përdorur edhe gurë dhe bomba molotov, duke bërë që në disa objekte të bjerë zjarr. Nga ana e saj policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Si pasojë e konfrontimeve kanë mbetur të lënduar së paku dhjetë persona, mes tyre qytetarë protestues dhe efektivë të policisë, të cilët janë dërguar për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital.

Zona është vendosur si në shtetrrethim, për shkak të pranisë së madhe të forcave të policisë.

Kjo e fundit ka dalë në mbështetje të aksionit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për lirimin e godinave që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Në mes të tensionit IKMT ka nisur shembjet.

Kjo ka bërë që protestuesit të konfrontohen fizikisht me policinë, siç mund të shihni edhe në fotografi, ndërsa ka pasur edhe persona të shtrirë përtokë, si pasojë e humbjes së ndjenjave.

Në mbështetje të tyre kanë shkuar ish-deputetët demokratë Klevis Balliu dhe Edi Paloka si dhe ai i LSI, Endrit Braimllari. Nga ana e unfiromave blu ka pasur shoqërime në polici, teksa situata vijon të jetë e tensionuar. /a.y/noa.al/

Konfrontime te “Astiri”, forca të shumta policie dhe qytetarë të shtrirë përtokë