Transmetuar më 11-11-2019, 17:07

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se kjo qeverisje ka shkaktuar klimën më të keqe të biznesit në Europë.

Basha këto ditë është angazhuar në një tur me të rinjtë në Shqipëri, por është ndalur edhe te problemet ekonomike, sikurse ka folur sot për gjendjen e bizneseve.

"Ndryshe nga kjo qeveri, biznesi i çliruar, i rimëkëmbur dhe i fuqizuar është në zemër të vizionit tonë për Shqipërinë", theksoi Basha.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Biznesi është në luftë për mbijetesë si rezultat i politikave të dështuara të kësaj qeverie. Sipërmarrjet po mbyten nga rritja e taksave, kostot e larta dhe korrupsioni i kudogjendur që kanë shkaktuar klimën më të keqe të biznesit në Europë.

Ndryshe nga kjo qeveri, biznesi i çliruar, i rimëkëmbur dhe i fuqizuar është në zemër të vizionit tonë për Shqipërinë.

Sipërmarrja shqiptare ka aftësitë dhe gjenialitetin për të çarë përpara, për të arritur sukses, për të qenë shtyllë e zhvillimit, punësimit dhe mirëqenies sociale. Ajo që i duhet është një qeveri që i kupton, që i mbështet, një qeveri që ju jep pak ndihmë kur kanë nevojë; një qeveri jo për t’jua bërë jetën më të vështirë, por më të lehtë.

Prandaj ne jemi të vendosur për uljen e taksave, për luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e kushteve të barabarta dhe konkurencës së ndershme. Ne duam që sipërmarrësit të kenë sukses, të fuqizohen, të punësojnë, të rriten.

Prej kohësh, Shqipëria po tregohet me gisht si kryeqendra e krimit në Ballkan.

Ju ftoj të punojmë së bashku që ta kthejmë në kryeqendrën e biznesit në Ballkan.

/NOA.al