Transmetuar më 11-11-2019, 12:53

Në takimin e kryedemokratit Lulzim Basha me biznesmenët, në Durrës nuk kanë mungur edhe diskutimet.

Një biznesmen u shpreh se nuk gjen asnjë derë, së cilës t’i drejtohet për mbështetje, pasi edhe në kohën e PD-së kanë ardhur ‘ufo’ në pushtet.

Teksa shton më tej se është mbështetës i PD-së që në vitin 1992, biznesmeni kërkon që PD-ja të ngrejë grupet e punës dhe të mbajë kontakte me bizneset, të ketë një institucion për këtë punë.

Pas biznesmenit, fjalën e mori kreu i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferri që u përpoq të mbronte selinë blu, por fjalën ia ndërpreu vetë Basha, i cili i kërkoi falje biznsemenit.

Pjesë nga debati

Biznesmeni: PD-ja duhet të ngrejë grupet e punës dhe të mbajë kontakte me biznesin afër. Po filluan të gjithë të ngrenë problemet që kanë nuk mbyllemi kurrë. Unë isha i mendimit që të ngrihen grupet e punës, sipas sektorëve.

Por edhe në kohën e PD-së, ufo na kanë ardhur në pushtet.

Basha: Ufo?

Biznesmeni: Po, ufo, domethënë…unë e përkrah PD-në që në vitin 1992 jo vetëm me votë, por edhe me financime. Nuk dua favore, që meqë jam përkrahës i demokrates të marr atë që s’më takon. Por dua të gjej një derë hapur. Një nga faktorët që humbën në 2013 ishte se ata njerëz që përfaqësuan PD-në qoftë në pushtetin lokal dhe në ministri, ishin të distancuar nga biznesi.

Xhaferri: Unë e përfaqësoj PD-në në Durrës, dhe nuk del dot jo një biznesmen, por asnjë qytetar i thjeshtë që të thotë së nuk e ka gjetur derën e hapur…

Basha: Ai s’e kishte fjalën për derën e partisë, por për sjelljen ndaj biznesit. Vendi është për reflektim, për ndjesë. Ajo që ofrojmë ne nuk është vetëm ulje taksash, por një qeveri që premton krejtësisht sjellje tjetër me biznesin. T’ju kuptojë, t’ju mbështesë dhe t’ju gjendet pranë.