Transmetuar më 11-11-2019, 12:07

Teksa Kuvendi do të votojë sot dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nuk ka lënë pa shigjetuar Presidentin Ilir Meta.

Ai tha se kreu i shtetit do të dërgojë në Kushtetuese, bashkëjetuesen e ish-deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj, Marsida Xhaferllarin.

"Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç. Presidenti nuk ka hallin e afatit, Presidenti ka ngulmuar që lista nga Këshillit të Emërimeve në Drejtësi t’i shkojë me katër veta sepse ka parë që e katërta e renditur është një person që Presidenti ka besim. E ka të njohur! Presidenti ka hall të çojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeaj. Kjo është troç, lërini dënglat. Presidenti nuk ka hall as afatin kushtetues, as kritere, as të këndojë atë këngën ‘e kam unë e ke ti’. Presidenti nuk ka të drejtë të bëjë të tretin”, u shpreh Balla.

Në vijim shtoi se meqë anëtarin e parë e zgjedh Presidenti, të dytin Kuvendi dhe të tretin e ka Gjykata e Lartë.

Ai sqaroi se kjo do të thotë që duhet të pritet, por se ky parim zbatohet në rastin kur Gjykata Kushtetuese i ka të 9 anëtarët.

Në këtë linjë sqaroi se edhe për rastin e kandidaturës së tretë të Kuvendit, procesi është hapur. “Kur kemi hartuar paketën e reformën në drejtësi, ka qenë parimi, t’u heqim institucioneve me përmbajtje politike, qoftë ky Kuvend, apo President, të drejtën për të mbajtur peng Shqipërinë”, tha Taulant Balla. /a.y/noa.al/