Transmetuar më 11-11-2019, 11:36

Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja reagoi në fjalën e tij në parlament, lidhur me votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe për ‘konfliktin’ me Presidentin e Republikës për këtë çështje.

Manja iu përgjigj deklaratave të presidentit Ilir Meta i cili është shprehur se radha për përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetueses duhet të kalojë nga një për çdo institucion. Ai tha se Meta me këtë deklaratë provon se ka një qëllim dashakeqas, që synon bllokimin e kësaj gjykate.

“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. 1/3 i ripërtërihet mandati çdo tre vjet. Tre anëtarë i emëron presidenti, tre Kuvendi dhe tre Gjykata e Lartë. Nëse ata nuk e ushtrojnë këtë kompetencë, kandidati i renditur i pari në listën e KED zgjidhet automatikisht. Ligji thotë se në rast se presidenti brenda 30 ditëve që kur ka marrë këtë listë nuk e ushtron këtë të drejtë, kandidati i parë emërohet automatikisht. Presidenti ka marrë dy lista.

Deri në datën 7 nëntor duhet të kishte emëruar dy anëtarë. Ka dekretuar Besnik Muçin ndërsa për anëtarin e dytë i ka dërguar një letër KED. Dekretimin do ta bëj sipas radhës, një presidenti, një kuvendi dhe një Gjykata e Lartë”, shprehet Manja.

Më tej ai vijon duke thënë se radhën e ka përcaktuar kushtetuta për të shmangur konlfiktin mes institucioneve por nuk përcakton se kush duhet të veprojë i pari. “Radha është përcaktuar sepse ka pasur në konsideratë përtërijtjen normale të Kushtetueses. Por nuk jemi në kushte normale. Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me një anëtar.

Arsyetimi i presidentit është dashakeq, sepse në këtë mënyrë synohet bllokimi i bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Brenda datën 13 nëntor ka detyrimin të zgjedhë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me organet e tjera kushtetuese. Ftoj presidentin dhe KED që të zhbllokojmë Gjykatën kushtetuese. Në rastin e kushtetueses duhet të çlirohet nga mentaliteti i konfliktit politik dhe të bashkëpunojë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai./b.l/noa.al/