Transmetuar më 11-11-2019, 10:50
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Korçës, i koduar "Udënishti" goditi dy raste të trafikimit ilegal të 15 personave të huaj përkundër pagesës.

Të dyshuarit, të identifikuar si M.M., 19 vjeç dhe P.Gj., 45 vjeç u arrestuan në flagrancë, teksa njëri prej të cilëve drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Kundrejt fitimit, ata do ndihmonin shtetasit e huaj që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Secili nga emigrantët do të paguante nga 500 euro me qëllim që të kalonin drejt vendeve të BE-së.

Përgjatë aksit rrugor Bilisht-Pogradec, 19-vjeçari M.M., banues në Kamëz u kap duke transportuar 12 shtetas të huaj me mjetin tip “Volvo”. Ndërsa 45-vjeçari P.Gj., banues në Tiranë, ishte në gjendje të dehur kur po transportonte tre të huaj me mjetin tip "Ford".

Operacioni u realizua nga Policia Kufitare e Korçës në bashkëpunim me atë të Pogradecit.

Lidhur me këtë ngjarje, hetimet janë në vijim për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" si dhe "Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur".