Transmetuar më 11-11-2019, 09:26

Presidenti Ilir Meta reagon teksa ditën e sotme Kuvendi pritet të votojë dy anëtarët e Gjykatës Kuhtetuese.

Ai iu drejtohet deputetëve të cilëve iu thotë, “Të nderuar deputetë, sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë! Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Meta thotë se Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Ai sqaron se Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë dhe se tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë.

Në vijim shton se Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

“Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë! Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!! Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!”, shkruan Meta.

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë do të votojë kandidaturat për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji duhet të marrin respektivisht 84 vota.

Nëse nuk marrin votat e duhura gara për 2 vendet që plotëson Kuvendi në Kushtetuese, hapet nga e para, duke e shtyrë edhe disa muaj funksionimin e kësaj gjykate.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Kuvendit dy listat e renditjes së kandidatëve për dy vendet vakante, më 14 tetor 2019. Ndërkohë, sipas ligjit, Kuvendi duhet të shprehet brenda 30 ditëve për të zgjedhur.

Në datë 5 nëntor, në kufijtë e afatit që duhet të zgjidhte anëtarin e dytë, Meta i dërgoi një shkresë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që ka renditur kandidatët për anëtarë.

Për Presidencën të gjitha vështirësitë kanë ardhur për shkak të procedurës që ka ndjekur KED dhe Kuvendi, sipas saj në kundërshtim me ligjin. Arta Vorpsi është ligjërisht anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, por nuk mund të nisë detyrën pa u betuar para Presidentit Ilir Meta. /a.y/noa.al/