Transmetuar më 08-11-2019, 13:00

Në analizën e paraqitur sot në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me situatën ekonomike dhe prognozën për vitin e ardhshëm, ministrja Anila Denaj bëri të ditur se rritja ekonomike e vendit parashikohet të jetë mbi nivelin prej 4% pёrgjatё viteve 2020-2022.

Ajo parashikohet të jetë në nivelin prej 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% për dy vitet e tjera. Ndërkohë, norma mesatare e papunësisë pritet të bjerë më tej, duke arritur në nivelin 10.6 për qind vitin e ardhshëm.

“Do të ketë më shumë rritje ekonomike dhe reforma të rëndësishme. Papunesia do bjerë në 10.6% në vitin 2020. Shumë sektorë të ekonomisë kanë patur rritje. Turizmi këtë vit pati performancë të mirë”, tha ministrja.

Denaj theksoi se konsolidimi fiskal ka dhënë efektet e tij për vitin 2019, ndërsa rritja e të ardhurave nga viti në vit është në shifrën 3.4%.

Ministrja e Financave foli edhe për sektorin e arsimit ku, sipas saj,  për vitin e ardhshëm do të jepen 3.3 miliardë lekë më shumë se këtë vit.

Qeveria synon që niveli i borxhit publik neto do të ulet me rreth 1.5 pikë përqindje vitin e ardhshëm, në 62.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Defiçiti buxhetor për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të PBB. Ky përbën nivelin më të ulët të targetuar në dy dekadat e fundit./b.l/noa.al/