Transmetuar më 04-11-2019, 20:58

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mitrovicë të Kosovës, ku disa të rinj, nxënës në një gjimnaz, janë përleshur në oborrin e një shkolle fillore, duke përdorur edhe armët.

Sipas “Express” nxënësit e përfshirë në konflikt,  kishin lënë takim  në oborrin e kësaj shkolle fillore. Madje paralajmërimin se diçka mund të ndodhte e kishin bërë edhe përmes rrjeteve sociale.

Një nga dëshmitarët që e pa rastin, tha se u tmerrua nga ajo çfarë pa mëngjesin e së hënës.

“Janë përdorur edhe armë zjarri, unë kam qenë dëshmitar. Policia ka pasur informacion nga rrjetet sociale që kjo ngjarje do të ndodhte sot. Ka qenë tmerr ajo që kemi parë sot në mëngjes. Kanë qëlluar në ajër, por kanë tentuar të qëllojnë edhe herë të tjera, por falë ndërhyrjes së policisë është evituar më e keqja”, ka thënë Niman Rushiti.

Për këtë ngjarje është arritur të identifikohen dhe arrestohen 4 persona te cilët dyshohen që janë përfshirë në përleshjen në fjalë. Njëri nga ata ka marrë lëndimet të lehta.