Transmetuar më 27-10-2019, 21:46

Prej vitesh kishte nisur bashkë me familjen e saj një jetë të re në Bruksel, Belgjikë.

Aktorja e mirënjohur dhe shumë e dashur për publikun u nda para kohe sot nga jeta, pas një sëmundje të rëndë.

Ajo kishte zgjedhur të ndante në profilin e saj, atë të aktores së qeshur dikur, dhe të jetës familjare, me bashkëshortin dhe tre fëmijët në Bruksel. Pas lajmit të zi, miq, të afërm dhe dashamirës të shumtë të aktores, kanë shprehur ngushëllimet e para.

Shumë prej tyre nuk mund ta besonin, që aktorja u ndaj sot papritur nga jeta.

Shpresa Bërdëllima lindi më 11 prill 1959 në Tiranë dhe u bë shpejt një ndër aktoret më të njohura e të preferuara para viteve ‘90.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Shpresa Bërdëllima është konsideruar ditë zie për artin dhe filmin shqiptar, për gjithçka ajo dha në ato vite.

Shpresa Bërdëllima është padyshim një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë.

Me një karrierë të suksesshme ndër vite, aktorja e nderuar është vlerësuar si nga kritika ashtu edhe nga publiku i gjere shqiptar. Ajo diti të fitoje zemrat e tyre, jo vetëm nga aftësia aktoriale por edhe nga natyra e saj spontane dhe me një elegancë të pashoqë.

Më poshtë disa nga rolet e saj më të spikatura, shoqëruar edhe me foto përkatëse në Fotogaleri:

“Gunat përmbi tela” – (1977)…Nusja e Belulit

“Vajzat me kordele të kuqe” – (1978)…Maria Gajtani

“Përtej mureve të gurta” – (1979)…Asimeja

“Era e ngrohtë e thellësive” – (1982)…Vali

“Të shoh në sy” – (1985)…Gruaja e shokut Mina

“Kur hapen dyert e jetës” – (1986)…Liza

“Kur ndahesh nga shokët” – (1986)…Zana

“Një vit i gjatë” – (1987)…Afërdita

“Flutura në kabinën time” – (1988)…Keti

“Hetimi vazhdon” – (1988)…Liliana Tina

/NOA.al