Transmetuar më 23-10-2019, 17:06

Babë e bir nga fshati Gadime e Poshtme e Komunës së Lipjanit u varrosën brenda katër ditëve. Nevzat Aliu 56 vjeçar, humbi jetën pas një beteje një vjeçare me kancerin.

Dhe i biri i ti i vetëm, Shqipdoni, 24-vjeç,  dyshohet se kreu vetëvrasje pak ditë pasi humbi babanë.  Shqipdoni u gjet pa shenja jetë në mbrëmjen e së hënës, në vendin ku i ati i tij i ndjerë kishte punuar për vite me radhë – në guroren e Gadimës.

Një histori e trishtueshme ka shoqëruar familjen Aliu , teksa kryefamiljari i kësaj familje, Nevzat Aliu, para një viti u diagnostikua me kancer. Me këtë sëmundje të rëndë luftoi për më shumë se 12 muaj.

Por kur gjendja e tij shëndetësore kishte filluar që t’i përkeqësohej, djali i tij, Shqipdoni, ishte ai i cili po e përjetonte më së rëndi gjithë sëmundjen e babait, i cili i ndërroi jetë në javën e tretë të muajit tetor.

Babai i Shqipdonit, Nevzati, kishte qenë në ditët e fundit të jetës së tij, në momentin kur i biri, Shqipdoni doli nga shtëpia për mos t’u kthyer më. Momentet e fundit të jetës së prindit siç duket ai nuk mundi që t’i përjetonte.

Më 14 tetor kishte dalë nga shtëpia, dhe Shqipdoni u kthye vetëm pas 10 ditëve, por fatkeqësisht i vdekur.

Familja e Shqipdonit, nuk e beson ende se djalin e tyre mund ta ketë vrarë dikush. Sipas tyre, gjendja emocionale e Shqipdonit, kohëve të fundit ka qenë pak e trishtueshme. Kjo për arsyen e vetme sipas tyre, sëmundjen e babait.

Ata deklarojnë se me aq sa dinë, djali i tyre, nuk kishte pasur probleme me askënd.

Shqipdoni u gjet pa shenja jete në vendin ku pikërisht kishte punuar për vite me radhë babai i tij.

I ndjeri, Shqipdon Aliu, duket se pas vetës ka lënë edhe disa mesazhe. Sipas banorëve të fshatit, në disa incizime që ai i ka lënë në telefon thuhet se përmes tyre i ka shprehur dashurinë prindërve të tij dhe se ka treguar gjendjen e rëndë emocionale.

Në vendin ku u gjet pa shenja jetë Shqipdoni, banorët kanë hasur në telefonin e tij, një shkrepëse dhe një paketë me cigare.

Me ngjarjen, tashmë është duke u marrë edhe Prokuroria e Shtetit. Ndërkohë edhe autopsia i është bërë trupit të pajetë të Shqipdonit 24-vjeçar. Rezultati i saj pritet që të bëhet publik gjatë kësaj javë.

Nga rrethi i tij, Shqipdoni është shquar si djalë punëtor dhe me sjellje shembullore. Kishte punuar për vite me radhë si dizajner grafik./NOA.al