Transmetuar më 22-10-2019, 08:50
Foto ilustruese

Një person në Krujë ka terrorizuar banorët e zonës pasi ka qëlluar me breshëri të shtënash.

Në numrin 112 të Komisariatit të Policisë Krujë, mbrëmjen e së hënës, kanë ardhur telefonata nga banorët e fshatit Derven se një person po qëllonte me armë zjarri në ajër.

Menjëherë shërbimet e Policisë Krujë janë nisur në drejtim të adresës së dhënë, ku shtetasi që qëllonte me armë zjarri në ajër u largua sapo pa forcat e policisë.

Pas krehjes së zonës dhe bashkëpunimit me banorët, policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi në flagrancë A. S., 47 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë.

Gjithashtu policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe disa fishekë luftarakë.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Krujës, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Armëmbajtja pa leje”. /a.y/noa.al