Transmetuar më 21-10-2019, 19:20

Kryetarja e LSI-së tha pas takimit me aleatët opozitarë se Kryeministri Edi Rama duhet vënë përpara përgjegjësisë për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Monika Kryemadhi foli për negociatat teksa tha se “nëntë kushtet e Bundestagut janë axhenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare”.

Ajo shtoi duke thënë se “shkaktar i kësaj situate është kryeministri Rama, që duhet vendosur para përgjegjësisë”.

Sipas Kryemadhit, kushtet e Bundestagut janë të qarta. “Maqedonia e Veriut u ndëshkua për shkak të mos-ecjes së Shqipërisë në reforma. BE ka thënë se në Shqipëri ka krizë politike. Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira. Ne si opozitë jemi tepër të qartë se e ardhmja e Shqipërisë janë BE dhe SHBA. Çdo tentativë për të kërcënuar partnerët janë politika të dështuara.

Shqiptarët janë ata që duhet të vendosin. Duhet të ikim nga kjo situatë e errët. Duhet bërë reforma zgjedhore dhe të zgjidhet kriza politike, po ashtu. Fronti Opozitar dëshiron të zgjidhet kriza politike”, theksoi znj. Kryemadhi. /k.k/noa.al/