Transmetuar më 21-10-2019, 14:47

Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i kujtoi sot kryeministri Edi Rama një zotim të bërë një vit më parë për negociatat, ku ky I fundit shprehej se, “Me çizme pa çizme, me këpucë pa këpucë, me taka pa taka, ne do ti hapim negociatat me BE”.

Deklaratën Rama e bëri në janar të 2018, në ditëlindjen e gjashtë të Forumit Rinor Eurosocialist. Vasili akuzoi Ramën dhe përfaqësues të tjerë të PS-së se gënjyen shqiptarët për dështimin me negociatat.

“Gënjeshtarë ordinerë vetëm kjo mund të thuhet për Edi Ramën dhe rilindjen. Dolën e gënjenin si një tufë llazorësh e thanë që vetëm Presidenti Macron ishte kundër. E vërteta është se shumica e vendeve ishte pro hapjes së negociatave me Maqedoninë. Ndërsa shumica e vendeve ishte kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Ishte Franca dhe Presidenti Macron që nuk lejuan që të ndaheshin të dy vendet dhe Maqedonia u dënua për shkak të Edi Ramës dhe rilindjes. Mashtrim si të gjithë të tjerët. Turp për mediat e supës se Edi Ramës që gënjejnë shqiptarët dhe arrijnë që të censurojnë edhe Presidentin Makron. Matufët kujtojnë se njerëzit informohen vetëm prej tyre”, u shpreh Vasili.

Ndaj dhe Vasili publikoi deklaratën e Presidentit Macron me zë, figurë dhe me shkrim. “Dje dëgjova disa fjalë se ne pothuajse arritëm uninamitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk është e vërtetë. Padyshim, aty kishte një shumicë te gjerë që Maqedonisë së Veriut ti hapen negociatat, por shumica e shteteve ishin kundër Shqipërisë. Nisja e bisedimeve të anëtarësimit vetëm me një vend do të ishte një gabim i tmerrshëm për Ballkanin” tha Macron./b.l/noa.al/