Transmetuar më 21-10-2019, 13:16

“Lincecohet përsëri nga qeveria Rama, kompania që menaxhonte landfillin e Sharrës me bekimin e Veliaj dhe ku u vra Ardit Gjoklaj dhe skllavëroheshin punëtorët e kompanisë!”

Është ky denoncimi i bërë nga ana e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Ajo thotë se në muajin prill 2019, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit e drejtuar nga Blendi Klosi, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit kanë licencuar kompaninë Alb Tech Plast sh.p.k me pronar Edurim Teqja për të vazhduar në Elbasan ushtrimin e aktivitetit në fushën e mbetjeve plastike dhe llojeve të tyre.

“Alb Tech Plast sh.p.k” është kompania “3R sh.p.k” e cila ka kryer ndryshim emri më 17 Maj 2018 dhe zotërohet nga z. Edurim Teqja, në vitin 2016 kjo kompani u kontraktua nga Veliaj, Bashkia Tiranë për kryer diferencimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës jashtë cdo kushti dhe parametri teknik. Në investigimet e medias doli qartë që në Landfill shfrytëzoheshin shumë persona, burra, gra dhe fëmijë jashtë kushteve të sigurisë në punë, pa sigurime shoqërore. Po ashtu ngjarja më e rëndë ndodhi 7 gusht 2016 Ardit Gjoklaj u vra në ambientet e Landfillit nga ekskavatori i kompanisë 3R sh.p.k”, shkruan Zhupa, duke publikuar edhe dokumente.

Ajo thotë se shteti jo vetëm që nuk ndërmori masa për shkeljet e evidentuara por sot e ka lincencuar përsëri në të njëjtën fushë veprimtarie.

“Sa më shumë të abuzosh, të vrasësh, të skllavërosh njerëzit aq më të lehtë e ke të bësh biznes me rilindjen. Ky është modeli i biznesit që promovojnë, ndërsa biznesi i ndershëm po mbyllet çdo ditë”, deklaron në mbyllje Ina Zhupa. /a.y/noa.al