Transmetuar më 21-10-2019, 09:53

“Arrest me burg” ka caktuar Gjykata e Krimeve të Rënda, për tetë personat e shpallur në kërkim, si të përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Santiago Malko.

Të dyshuarit akuzohen si të përfshirë në krimin e ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku i riu u vra me armë zjarri.

Gjykata vendosi paraditen e sotme “Arrest me burg” në mungesë, ndaj tetë të dyshuarve për krimin, dy vëllezërit Leonard Duka dhe Elis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loka, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, të shtatë banues në Tiranë dhe Fatmir Hyseni, banues në Vlorë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Për pak ditë pritet të vlerësohet masa e sigurisë edhe për Blendi Tetën, i arrestuar si i dyshuar për krimin.

Ish-polici Santiago Malko sapo kishte dalë nga një lavazh në rrugën “Xhanfize Keko”, ku kishte larë makinën, kur i’u bë atentat mbrëmjen e 27 gushtit. /a.y/noa.al