Transmetuar më 20-10-2019, 22:44

Pak ditë më pas bllokimit të çeljes së negociatave, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm (2020).

Më 3 janar 2020, Maqedonia e Veriut do të ketë një qeveri të re teknike, e cila si detyrë parësore të saj do të ketë organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zaev pati paralajmëruar një gjë të tillë, ndërsa zgjedhjet do të mbahen në vigjilje të samitit të Zagrebit, që do të mbahet në muajin maj 2020.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Zoran Zaev pas marrëveshjes së arritur me konsensusin e të gjitha partive politike.

“Propozimi ynë ishte që më 22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje, sepse në atë mënyrë, në atë periudhë mund ta realizojmë procesin zgjedhor”.

“Kishte reagime nga opozita se nuk mund të ketë 100 qeveri teknike, prandaj u shqyrtua, marsi, prilli, e kështu me radhë dhe me konsensus u vendos që 12 prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi Zaev.

Zgjedhjet e parakohshme erdhën pasi BE-ja nuk hapi bisedimet e integrimit me Maqedoninë e Veriut sikurse kishte premtuar më parë. – “Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Kjo është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme” u shpreh Zoran Zaev.

Ndërkaq, mbi debatin nëse edhe në Shqipëri do të mbahen zgjedhje të parakohshme, kryeministri Rama e hodhi poshtë këtë mundësi, me argumentin se Zaev e kishte dhënë si premtim se vendit të tij do t’i çeleshin negociatat, ose ndryshe do të kishte zgjedhje. Kreu i qeverisë shqiptare pretendoi se nuk e ka dhënë një premtim të tillë. /NOA.al