Transmetuar më 17-10-2019, 23:31

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se Gjykata Speciale e Kosovës i duket si një fantazmë, pasi ka 4 vjet që ka nisur punën dhe nuk ka ngritur asnjë akt-padi.

Kurti u shpreh se Kosova nuk ka nevojë për Gjykatë Speciale, as për Hagë, por për gjykata të mira dhe të pavarura vendase, të cilat do të gjykojnë krime të luftës dhe të paqes.

“Kosova nuk ka nevojë fare për Gjykatën Speciale. Ajo duket si fantazmë. Nuk ka ngritur asnjë akt-akuzë. Kosova ka nevojë për gjykata normale që dënojnë krimet e luftës, por edhe krimet e paqes. Unë besoj se ata që kanë luftuar kanë frikë më shumë nga krimet e korrupsionit sesa për krimet e luftës. Specialja për 4 vjet nuk ka ngritur asnjë akt-akuzë dhe ky është dështim. Mendoj se Gjykatës Speciale i mungon besimi. Nëse një i pandehur e padit këtë gjykatë, unë them se e fiton gjyqin në Strasburg. 

Ka pasur trysni ndaj dëshmitarëve. Kanë dështuar të mbrojnë dëshmitarët. Me qeverinë e re, dëshmitarët do të jenë të mbrojtur. Ne na duhen gjykata të mira dhe prokurorë të mirë”, tha Kurti.