Transmetuar më 15-10-2019, 07:34

Edhe me standardet britanike, pompoziteti dhe ceremonitë që karakterizojnë fjalimin e Mbretëreshës në Parlament janë përtej normales. Fjalimi, i cili shënon nisjen e legjislaturës së re, ka disa rituale të pazakonta, disa prej të cilave të trashëguara që nga Mesjeta.

Normalisht, fjalimi i Mbretëreshës mbahet çdo vit, por për shkak se vitin e kaluar Kryeministrja e atëhershme Theresa May dëshironte që Parlamenti të vazhdonte debatin për Brexit, sesioni i kaluar parlamentar zgjati 839 ditë. Zyrtarisht ai mbaroi të martën e kaluar, për të rinisur këtë të hënë, pas fjalimit të saj.

Zbuloni ritualet më të pazakonta që ndodhin gjatë fjalimit të Mbretëreshës së Anglisë.

Udhëtimi

1.Udhëtimi: Nga Pallati i saj për në Westminster, Mbretëresha udhëton me një karrocë të tërhequr nga gjashtë kuaj. E ndërtuar në Australi, karroca përdoret prej vitit 2014. Ajo peshon 3 tonë dhe është 5 metra e gjatë.

Kontrolli i qilarëve

2.Kontrolli i qilarëve: Truprojat mbretërore, me veshje tradicionale, kontrollojnë qilarët e godinës së Parlamentit për të parandaluar “komplotin e barutit”. Më 5 nëntor 1605, Guy Fawkes dhe katër të tjerë donin të vendosnin lëndë shpërthyese në godinë për të hedhur në erë Parlamentit dhe për të vrarë Mbretin James I dhe deputetët. Ata u kapën dhe u ekzekutuan.

Pengmarrja

3.Ndërsa monarku flet në fronin që gjendet në Dhomën e Lordëve, një ligjvënës mbahet peng në Pallatin “Buckingham”, për të garantuar rikthimin e sigurt të Mbretëreshës në pallat. Më 30 janar 1649, në fund të Luftës Civile, Mbreti Charles i u shpall fajtor për tradhti dhe iu pre koka në Parlament. Vendimi qëndron edhe sot i varur në një dhomë në godinë, sa për t’i kujtuar monarkëve që të mos u shkojë në mendje të ndërhyjnë në punët e Parlamentit.

Kurora

4.Kurora: Gardianët e besuar të monarkut, Kalorësia, shoqërojnë kurorën perandorake brenda godinës së Parlamentit, pasi e kanë marrë ditë më parë në fshehtës nga Kulla e Londrës, traditë që vazhdon prej vitit 1805. Ata janë të vetmit ushtarakë të cilëve u lejohet të mbajnë armë brenda godinës së Parlamentit. Mbretëresha këtë vit vendosi të mos e mbante në kokë kurorën perandorake, e cila është e dekoruar me 2868 diamante, 17 safirë, 11 smeralde, 269 perla, 4 rubinë.

Shufra e zezë

5. Shufra e zezë: Pasi monarku ulet në fron, rojtari i derës së Dhomës së Lordëve, i quajtur “shufra e zezë”, thërret deputetët e Dhomës së Komunëve. Për të simbolizuar pavarësinë e tyre nga monarku, ata ia përplasin derën në fytyrë rojtarit dhe ulen në cepin e kundërt me monarkun. “Shufra e zezë” momentalisht Sarah Clarke, e para grua që merr këtë rol që prej krijimit të tij në vitin 1348, kur sundonte Mbreti Edward III.