Transmetuar më 14-10-2019, 16:07

Në pritje të formimit të qeverisë së re, për t’u bërë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, pas një beteje të gjatë gati 12 vjeçare në opozitë, para se të vinte deri këtu, ka sigurisht, për të kujtuar shumë momente të vështira, dramatike dhe të hidhura.

Të tilla mund të quhen edhe ditët e para pas fitores së VV, sepse një prej simpatizantëve më të dalluar të saj, ka ndërruar jetë.

Albin Kurti ka ndarë sot me publikun një foto të simpatizantit më të dalluar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ndërroi jetë në moshën 94-vjeç, shoqëruar edhe me mesazhin e ngushëllimit.

Kurti u shpreh se ai ka marrë pjesë në të gjitha protestat opozitare në 12 vitet e fundit, madje më shumë se vetë organizatori i tyre, pra kryeministri në pritje i Kosovës.

"Ka protesta të VETËVENDOSJE!-s në të cilat unë nuk kam marrë pjesë. Mirëpo, nuk ka protestë të Lëvizjes sonë në të cilën nuk ka marrë pjesë anëtari ynë më i moshuar, 94 vjeçari, Limon Isufi", tha Albin Kurti në mesazhin e tij, teksa ndau edhe foton e të moshuarit, që mban në duar flamurin Kombëtar.

"Baca Limon ka ndërruar jetë dje dhe sot varroset në Gjilan. Kujtimi për të është i paharrueshëm ndërkaq kontributi i tij i paçmueshëm. Limon Isufi është babai i komandantit të Zonës Operative të UÇK-së për Karadakun, ish ministrit e ish deputetit, z. Ahmet Isufi".

"Gjithnjë do ta mbajmë në mendje me nderime dhe në zemër me mall", ishte mesazhi i Albin Kurtit./NOA.al