Transmetuar më 11-10-2019, 10:36

Vlerësimi me çmimin “Nobel” i shkrimtarit që ka mbështetur Sllobodan Millosheviç dhe madje e ka adhuruar ka irrituar shqiptarët si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë dhe ka sjellë edhe reagime të shumta në të dy anët e kufirit.

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, austriaku Peter Handke, në reagimin e tij të parë për këtë lajm i ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.

“Jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit.

Handke është një shkrimtar i urryer për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, pasi njihet për deklaratat dhe qëndrimet e tij antishqiptare, por edhe si adhurues i liderit serb, Sllobodan Millosheviç.

Madje, me deklaratat e tij antishqiptare dhe adhurimin që i bënte Millosheviçit, ai krijoi mjaft antipati edhe në Gjermani. Një gjë të tillë e thotë edhe media ndërkombëtare gjermane “Deutche Welle”./b.l/noa.al/