Transmetuar më 09-10-2019, 13:12

Vjosa Osmani pranon koalicionin me Albin Kurtin. Pritet zyrtarisht krijimi i qeverisë së re në Kosovë, mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, dy partitë që fituan bindshëm zgjedhjet e fundit parlamentare.

Pas numërimit të votave, LDK-ja doli forca e dytë politike pas Lëvizjes Vetëvendosje, me një diferencë shumë të ngushtë votash, çka do të thotë se posti i kryeministrit i takon Albin Kurtit.

"Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës", theksoi Vjosa Osmani, duke konfirmuar kështu arritjen e marrëveshjes. Mbetet që të krijohet qeveria e re dhe ndarja e ministrive, ndërsa posti më i rëndësishëm pas Albin Kurtit kryeministër, me siguri do t’i takojë Vjosa Osmanit.

Partitë e tjera, në qeverisje për 12 vjet, kalojnë në opozitë.

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre, pas zgjedhjeve dha mesazhin, duke e cilësuar rezultatin më të mirë të partisë së saj, që nga viti 2004.

Reagimi i plotë i Vjosa Osmanit, mbi marrëveshjen:

"Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e vendit tim. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë."

"Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim."

" Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku".

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, po ashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj për vendin tim pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!" NOA.al