Transmetuar më 08-10-2019, 18:21

Rrëzohet kërkesa e disa partive politike në Kosovë për të rinumëruar të gjitha fletët e votimit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Me pretendimin se ka pasur disa probleme teknike, PDK-ja, LDK-ja dhe koalicioni Nisma-AKR-PD, kërkuan të gjitha fletët e votimit të numërohen nga e para.

Por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë, hodhi poshtë këtë kërkesë.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për të hedhur si të palejuara ankesat e lartë theksuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në përfundim të numërimit të votave, forcë e parë politike ka dalë Vetëvendosja me 31 deputetë, partia e dytë renditet LDK-ja me 30 deputetë, e cila ndiqet nga PDK në vend të tretë me 25 deputetë.

Partia e drejtuar nga kryeministri ende në detyrë, Ramush Haradinaj, në koalicion me PSD-në, ka mundur të marrë vetëm 14 deputetë.

Nisma nuk ka mundur të kalojë pragun për vetëm 324 vota. /k.k/noa.al/