Transmetuar më 07-10-2019, 10:20

Kryeministri i i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë mesazhin e parë për qytetarët pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, ku rezultoi fitues me mbi 25% të votave. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Albin Kurti falënderon të gjithë qytetarët që e votuan, duke thënë se me votën e tyre ata ndërhynë masivisht në skenën politike, në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik.

“Mirëmëngjes të dashur qytetarë. Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!. Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë. Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm”, shkruan Kurti.

Më tej, kryeministri i ri thekson se partia e tij “Vetëvendosja” do iu prijë ndryshimeve të Kosovës, duke shtuar se punët e vështira që e presin, vetëm i shtojnë vullnetin.

“Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike. Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua. Sepse: Erdhi dita! Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit”, përfundon mesazhin e tij Albin Kurti./b.l/noa.al/.