Transmetuar më 20-09-2019, 08:45

Postimet që promovojnë humbjen e peshës dhe operacionet plastike kanë “pushtuar” Instagramin dhe po i shohim çdo herë e më shpesh.

Por duket se rrjeti i fuqishëm social do të marrë masa kundër këtyre postimeve që shkaktojnë një ndikim negativ për imazhin që njerëzit krijojnë për trupin e tyre.

Sipas një risie që Instagram do ta vë në zbatim shumë shpejt, këto postime nuk do të jenë të dukshme për njerëzit nën 18 vjeç. Ndërsa në raste të tjera, për shembull kur reklamohen produkte “magjibërëse”, postimet do të fshihen fare nga Instagrami.

Udhëzimet dhe politikat e reklamimit në Instagram asnjëherë nuk kanë lejuar promovimin e këtyre produkteve, sipas një deklarate të kompanisë, por rritja e fundit midis influencuesve dhe të famshëmve ka shkaktuar veprime shtesë. Politika do të jetë e njejtë si në Instagram ashtu edhe në Facebook.

Politika e përditësuar është pjesë e punës së Instagram-it për ta bërë platformën “një vend pozitiv për të gjithë” dhe “për të ulur presionin që njerëzit ndonjëherë mund ta ndjejnë si rezultat i mediave sociale”, tha menaxherja e politikës publike në Instagram, Emma Collins, për shtyp.

Influencueset si Kim dhe Khloe Kardashian dhe Kylie Jenner kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e kritikëve, përfshirë aktoren Jameela Jamil, për promovimin e produkteve për humbje peshe. Megjithatë, tani e tutje nuk do të na duhet të shqetësohemi më për këtë gjë./b.l/noa.al/