Transmetuar më 19-09-2019, 21:56

TIRANË, 21:56, NOA.al – Gjykata për Krime të Rënda publikoi para pak çastesh vendimin për ish ministrin e Brendshëm dhe ish deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri duke e shpallur fajtor, raporton nga gjykata, gazetari i noa.al. Tahiri u dënua formalisht me 5 vjet heqje lirie, por ky dënim nuk do të zbatohet.

Gjykata çmoi se Tahiri duhet të vuajë tre vjet e katër muaj survejim përmes shërbimit të provës pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi me 5 vjet burgim i konvertohet me liri të kushtëzuar.

Me këtë vendim, Tahiri i shpëton burgut, pasi ligji detyron të dënuarin vetëm që të paraqitet një herë në muaj në zyrën e Shërbimit të Provës. Por nëse do të ketë vepër penale të re të konsumuar nga Tahiri, atëherë ai mund të burgoset.

Po ashtu Tahiri nuk mund të kryejë funksione publike. Gjykata çmoi se prokuroria nuk paraqiti prova për akuzat e saj ndaj Tahirit, por vetëm indicie për to.

Mësohet se ka rënë akuza e grupit kriminal dhe është kualifikuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës. Po ashtu ka rënë dhe akuza e trafikut të drogës. Gjithashtu ra dhe akuza për korrupsion.

Pas shpalljes së vendimit, Tahiri u deklarua në reagim për mediat se ishte i lumtur që ranë akuzat e forta ndaj tij dhe shtoi se do ta apelojë edhe vendimin e zbutur të gjykatës.

Ish ministri është shfaqur i çliruar pasi gjykata ka bërë të njohur vendimin ndaj tij, ndërsa e ka konsideruar atë si absurd. “Isha më i qartë kur hyra sesa tani kur dola. Më duhet ta kuptoj të gjithën. Është si të shkosh në një provim që mësuesja të thotë ke mësuar shumë mirë por hajt se po të vë një 5. Më thanë se nuk je trafikant po meqë i ke kushërinj ke shpërdoruar detyrën. Si t’ja bëj unë, duhet të mbajmë përgjegjësi për të gjithë kushërinjtë idotë. Për dy vite keni ndjekur procesin e shekullit. U katandis kokoshi në një thelë” tha zoti Tahiri para gazetarëve. "Ruani veten nga kushërinjtë!”, – ironizoi ai vendimin e gjykatës.

Gjykata kishte njoftuar se vendimi do të shpallej në orën 16.00, por kjo ndodhi vetëm rreth gjashtë orë më vonë, pa u qartësuar arsyet e vonesës.

Treshja gjykuese ishte e përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj e cila kishte dhe dosjen e Kelmend Balilit, si dhe Irena Gjoka.

Saimir Tahiri u përball me akuzat e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe afera korruptive. Por në fund, u formulua vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës, e pakonsumuar si e tillë nga pretenca.

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi në pretencën e saj ndaj Tahirit, shpalljen fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie.

Ish ministri i Brendshëm kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe një dënim i gjykatës i siguronte uljen e një të tretës së masës së dënimit.

Tahiri në seancën e sotme atakoi pasardhësin e tij Fatmir Xhafaj kur tha: "Unë jam këtu si i pandehur vetëm për shitjen e një makine, ndërkohë ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi as për vëllezërit trafikantë”.

Sipas Prokurorisë, Tahiri ka garantuar paprekshmërinë e grupit të Habilajve në trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë.

Një nga avokatët e Tahirit, Saimir Vishaj tha se derisa vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të marrë formë të prerë konsiderohet ende i pandehur.

Palët në proces mund ta apelojnë vendimin e Shkallës së Parë në Apelin e Krimeve të Rënda.

Tahiri i cili prej mëse dy vjetësh nuk është më as ministër dhe as deputet, ka pajtuar disa nga avokatët më të njohur dhe më të shtrenjtë për mbrojtjen e tij.

Saimir Tahiri drejtoi ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 2013 deri 2017. Në vitet kur policia kontrollohej prej tij, fenonemi "Lazarat" i lulëzimit të drogës, u shtri në të gjithë vendin duke pasur një superprodhim lëndësh narkotike.

Vendimi gjyqësor për Tahirin vjen pak javë pasi BE pritet të vendosë për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Bashkimi Evropian ka kërkuar me ngulm që politikanët e lartë të korruptuar apo zhytur në krim të dënohen nga drejtësia. /noa.al/