Transmetuar më 19-09-2019, 18:19

TIRANË, 18:16, NOA.al – Gjykata për Krime të Rënda ende nuk e ka publikuar vendimin për ish ministrin e Brendshëm dhe ish deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, raporton nga gjykata, gazetari i noa.al.

Momentalisht prokurorët e çështjes kanë dalë nga salla ashtu si dhe pjesëmarrësit e tjerë pasi po presin që treshja gjykuese të rikthehet për të shpallur vendimin, mëson noa.al.

Gjatë këtyre më shumë se dy orëve, është duke vazhduar pritja për Tahirin.

Gjykata kishte njoftuar se vendimi do të shpallej në orën 16.00, por arsyet e vonesës nuk janë të qarta. Treshja gjykuese është e përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj e cila kishte dhe dosjen e Kelmend Balilit, si dhe Irena Gjoka. Saimir Tahiri përballet me akuzat e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe afera korruptive. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi në pretencën e saj ndaj Tahirit, shpalljen fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie. Ish ministri i Brendshëm kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe një dënim i mundshëm i gjykatës do ti siguronte uljen e një të tretës së masës së dënimit. Tahiri në seancën e sotme atakoi pasardhësin e tij Fatmir Xhafaj kur tha: "Unë jam këtu si i pandehur vetëm për shitjen e një makine, ndërkohë ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi as për vëllezërit trafikantë”. Sipas Prokurorisë, Tahiri ka garantuar paprekshmërinë e grupit të Habilajve në trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë. Një nga avokatët e Tahirit, Saimir Vishaj tha se derisa vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të marrë formë të prerë konsiderohet ende i pandehur. Palët në proces mund ta apelojnë vendimin e Shkallës së Parë në Apelin e Krimeve të Rënda. Tahiri i cili prej mëse dy vjetësh nuk është më as ministër dhe as deputet, ka pajtuar disa nga avokatët më të njohur dhe më të shtrenjtë për mbrojtjen e tij. Saimir Tahiri drejtoi ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet 2013 deri 2017. Në vitet kur policia kontrollohej prej tij, fenonemi "Lazarat" i lulëzimit të drogës, u shtri në të gjithë vendin duke pasur një superprodhim lëndësh narkotike. Vendimi gjyqësor për Tahirin vjen pak javë pasi BE pritet të vendosë për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Bashkimi Evropian ka kërkuar me ngulm që politikanët e lartë të korruptuar apo zhytur në krim të dënohen nga drejtësia. /noa.al/