Transmetuar më 19-09-2019, 17:41

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj shpalli sot planin për të ndaluar me ligj protestat në rrugë dhe i kërkoi Parlamentit të kontrolluar nga Partia Socialiste që të miratojë ndryshimet e reja në Kodin Penal.

Ky ndryshim i paparalajmëruar erdhi sot në Kuvend ku gjatë seancës plenare mazhoranca socialiste dhe deputetët e listave rezervë të opozitës, rrëzuan dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshime në Kodin Penal.

Sandër Lleshaj njoftoi ndryshim tjetër duke thënë se po përfitojnë nga rrëzimi në Kuvend i dekretit presidencial.

Nisur nga paralajmërimet e opozitës për nisjen e protestave Lleshaj tha se nuk do të lejohet më bllokimi i rrugëve nga individë që nuk bien dakord me vendime të caktuara të administratës.

"Përgjithësisht është bërë një lloj mode në Shqipëri që kushdo është i pakënaqur nga veprime të caktuara të administratës, të qeverisë, të gjyqësorit, të ushtrojë një lloj vetëgjyqësie moderne duke bllokuar herë pas here rrugët si përgjigje ndaj vendimeve që dikush nuk i pranon.

Dhe këtu ka ardhur koha dhe është mirë që Kodi Penal parashikon qartësisht masa ndaj atyre që bllokojnë rrugët e vendit", – tha Lleshaj sot në seancë plenare dhe shtoi:

"Mentaliteti parashtetëror i vetëgjyqësisë për të bllokuar rrugët sa herë je i pakënaqur me vendime të caktuara të administratës apo të gjyqësorit duhet të marrë fund dhe qytetarët shqiptarë, përfshi dhe politika duhet të kuptojnë se zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë dhe kjo është dera e drejtësisë. Ndërkohë që rrugët kanë një tjetër funksion – t’i shërbejnë komunikimit, ekonomisë, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe ata që do të tentojnë të bllokojnë rrugët e vendit për arsye private, personale apo politike, duhet të llogarisin me masa të reja të parashikuara në Kodin Penal. Bllokimi apo pengmarrja e rrugëve nuk mund të vazhdojë më. Dhe këto janë faktet, këto janë dhe shifrat zyrtare që qëndrojnë prapa vendimit të mazhorancës për ta ndryshuar Kodin Penal".

Plani "Lleshaj" vjen ndërsa prej disa muajsh nuk reshtin protestat e përditshme të banorëve të unazës së re që denoncojnë se po u prishen shtëpitë dhe bizneset pa kompensimin nga shteti.