Transmetuar më 19-09-2019, 16:40

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda së bashku me avokatin e tij Maks Haxhia.

Në orën 16:00, gjykata do të jepte vendimin e shumëpritur për të, ndërsa vendimi është shtyrë edhe për pak minuta.

Trupi gjykues i përbërë nga Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka pritet të japë nga çasti në çast verdiktin final.

Prokuroria kërkoi 12 vite burg, por nëse gjykata vendos këtë masë, ish-ministri do të vuajë 8 vite më burg, pasi përfiyton nga gjykimi i shkurtuar.

Por, nëse ai dënohet, ekspertët thonë se vendimi nuk ka asnjë efekt juridik, pasi ai do të qëndrojë i lirë derisa të jepet një vendim i formës së prerë, nga një gjykatë e posaçme, e cila në këtë rast do të jetë vendimi i Apelit, për një periudhë prej 45 ditësh.

Tahiri do të qëndrojë i pandehur, nuk do të shkojë në burg edhe nëse dënohet sot,  derisa të merret vendimi i formës së prerë.

Ish-ministri Tahiri, pas disa seancave, u shpreh se kërkonte që të mësonte vendimin, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që ai të dënohet.

Tahiri akuzohet se në kohën kur ishte ministër ka favorizuar grupin e Habiljave.

"Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i Brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. S’ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale."

"Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë. Unë kam qenë në dreke në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vëne edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat", u shpreh pas shtyrjes së vendimit Tahiri.

Edhe avokati i tij mbrojtës Maks Haxhia tha se më atë dosje, ish-ministri është i pafajshëm, sepse nuk ka asnjë provë që e bën atë fajtor.

Në seancën e datës 10 shtator, Prokuroria kërkoi 12 vite burg për Tahirin, ndërsa gjykata e Shkallës së parë pritet të japë sot vendimin. /a.m/NOA.al