Transmetuar më 19-09-2019, 12:33

Gjykata e Krimeve të Rënda është tërhequr për të marrë vendimin, për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Saimir Tahiri u pa të dalë me lot në sy nga gjykata.

"Diçka emocionale. Në vend që të priste vlerësim dhe vendimin, vihet përballë akuzave. Të deklarosh fajtor ish-ministrin, ish-deputetin, pa prova, jo të qash, është të ulërasësh. Gjykata nuk ka gjetur një provë të vetme," tha avokati i Tahirit, Maks Haxhia.

Trupi gjykues ka deklaruar se nuk do të ketë vendim para orës 16:00.

Para vendimit, edhe ish-ministri ka deklaruar se nuk ka asnjë provë që ai të dënohet.

Duke hedhur poshtë përgjimet, Tahiri tha se më 23 prill ka qenë në drekë me Kryeministrin Rama.

Ish-ministri  ka deklaruar se nëse i provohet akuza, atëherë ai do të shkojë vetë në burg.

Tahiri  tha se pasardhësi i tij në detyrë, Fatmir Xhafaj, edhe pse akuzat janë më të rënda mbi të vëllain, nuk ka pasur të njëjtin fat.

"Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i Brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. S’ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale. Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë. Unë kam qenë në dreke në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt."

"Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vëne edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat", theksoi Tahiri.

Në seancën e datës 10 shtator, Prokuroria kërkoi 12 vite burg për Tahirin. Por ish-ministri së bashku me ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaled Çela rrezikojnë të vuajnë nga 8 vjet burg nga 12 që kërkoi Prokuroria, në një institucion të sigurisë së zakonshme.

Sipas akuzës nga provat dhe përgjimet në tërësi të bëra nga ana e prokurorisë është arritur në konkluzionin se ish-ministri i Brendshëm u ka siguruar mbrojtje dhe paprekshmëri grupit të trafikantëve ku bënin pjesë edhe kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj, të cilët janë të dënuar aktualisht në Itali./a.m/NOA.al