Transmetuar më 19-09-2019, 12:19

Dy persona janë arrestuar në lidhje me plagosjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Vangjel Allaj në Bulqizë të mërkurën më 18 shtator. Ai është vëllai i kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla.

Në prangat e policisë ra pronari i lokalit ku ndodhi sherri, 37-vjeçari me iniciale B.Ç., si edhe bashkëpunëtori që ndihmoi autorin të largohej.

37-vjeçari, banues në Bulqizë, u arrestua pasi në ambientet e lokalit të tij, ka fshehur provat materiale në vendin e ngjarjes. Ndërsa 24-vjeçari me iniciale D.S, po ashtu banues në Bulqizë, u arrestua pasi ndihmoi autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë uniformat blu po vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, shtetasin me iniciale I.D.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 shtatorit në orën 02:40 në ambientet e një lokali në qytetin e Bulqizës. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas ngjarjes, autori i dyshuar, shtetasi me inicialet I.D., 31 vjeç, person me precedent kriminal, është larguar nga vendngjarja së bashku me shtetasin me inicialet D.S., 24 vjeç.

Ndërkohë, vëllai i kryebashkiakut të Bulqizës, ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën./b.l/noa.al/