Transmetuar më 19-09-2019, 11:52

Gjykata për Krime të Rënda është tërhequr për të vendosur sot për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pas pretencës në datë 10 shtator, ku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3).

Gjykata do të japë vendimin final për Tahirin sot në orën 16:00, ndërsa ish-ministri ka dalë i qeshur nga seanca gjyqësore, e nisur rreth orës 10:00.

Ai është pritur me puthje e fjalë për t’i dhënë kurajo pasi ka dalë nga Gjykata për Krime të Rënda, në pritje të vendimit për fatin e tij nëse do të dënohet apo do të shpallet i pafajshëm.

Ishin qytetarë të shumtë të cilët e kanë pritur me përqafime, mbështetës të tij, duke i thënë: Të jesh krenar. Parimi është kush punon dënohet!

Më tej, Tahiri nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, duke e pritur me heshtje vendimin ndaj tij, por ka dalë i qeshur nga ambientet e gjykatës, dhe së bashku me disa gazetarë dhe avokatin e tij është ulur të konsumojë një kafe pranë ambienteve të Gjykatës.

Saimir Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’./b.l/noa.al/