Transmetuar më 19-09-2019, 10:47

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri u shpreh se është i gatshëm të rishikojë pozicionin e tij në këtë Komision me kusht që ta njohë PD-ja. Ai ka përsëritur ftesën drejtuar opozitës jo parlamentare për të marrë pjesë në hartimin e kësaj reforme.

“E mira është që PD të ketë një vend në Komisionin për Reformën zgjedhore. Prandaj po e them, nëse vijnë, e njohin  këtë komision, kontribuojnë në këtë pozicion unë jam i gatshëm të rishikoj pozicionin tim pasi të komunikoj me kryetarin e partisë sime, sepse kjo është pjesë e një pakete politike. Nuk kam ndonjë merak sepse kemi të bëjmë me një kompromis të madh. Por është jashtë kulturës politike, nuk ndodh në asnjë vend të botës të kushtëzosh palën tjetër në pjesëmarrje në negociata.

Është hera e parë që kushtëzohet interlokutori. Është njësoj si të themi që ne nuk flasim me Bashën se është i akuzuar politikisht që ka vrarë 4 njerëz. Po e them dhe një herë nëse është kushti i vetëm dhe ata e njohin unë në bashkëbisedin me kryetarin e partisë sime e shoh pozicionin tim. Unë jam deputet si gjithë të tjerët”, u shpreh Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama i drejtoi dje një ftesë opozitës jo parlamentare për t’u ulur në dialog pa kushte për Reformën Zgjedhore. Lideri demokrat Lulzim Basha iu përgjigj kësaj ftese duke thënë se më parë duhet të zgjidhim krizën politike.

Një tjetër kusht i artikuluar prej tij ishte pikërisht emri i Damian Gjiknurit, që sipas Bashës nuk mund të jetë bashkëkryetar i komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi ka dalë në përgjime te dosjes 184 të zgjedhjeve lokale të Dibrës./b.l/noa.al/