Transmetuar më 18-09-2019, 12:43

Gazetari dhe analisti Mentor Kikia, ka ironizuar edhe propozimin e kryeministrit Rama, i cili në të njëjtën ditë, kur plasi skandali, iu drejtua studentëve të denoncojnë çdo rast korruptim, me premtimin se do t’iu zerohet tarifa, si dhe do të përfitojnë bursë.

"Tani, kjo studentja e Elbasanit, ato 20 e ca provimet që kishte pa marrë, s’ka për t’i marrë kurrë pas asaj që bëri me kameran e fshehtë, por a do të fitojë bursën meqë denoncoi korrupsionin?", shtroi pyetjen Kikia, kuptohet me ironi dhe skeptik ndaj gjendjes katastofike ku është katandisuar arsimi, sidomos Arsimi i Lartë, në vendin tonë.

Sakaq, lidhur me rastin në fjalë, sot është pezulluar nga detyra pedagogu i Universitetit të Elbasanit, Denis Himçi, i cili i kërkoi favore seksuale një studenteje në këmbim të provimeve.

Vendimi i universitetit “Aleksandër Xhuvani” për pedagogun e në Departamentin e Gjuhës Frënge dhe Italiane, erdhi një ditë pas publikimit të pamjeve filmike në një emision investigativ "Stop", mbrëmjen e së martës.

"Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra të pedagogut Denis Himçi, me detyrë personel akademik në Departamentin e Gjuhës Frënge dhe Italiane, të Fakultetit të Shkencave Humane. Masa e pezullimit nga detyra do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes,’- njoftoi Universiteti.

Universiteti i Elbasanit tha se distancohet ndaj çdo sjelljeje të ulët e të padenjë që cënon figurën e personelit akademik dhe imazhin e këtij institucioni të arsimit të lartë, si edhe është i hapur e shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë deri në zbardhjen e plotë të çështjes.

Po ashtu pedagogu Himçi u arrestua sot, pas denoncimit në emisionin investigativ.

Denis Himçi, 36-vjeç, akuzohet për veprat penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". a.m/NOA.al