Transmetuar më 18-09-2019, 11:56

Një person është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kryenin vjedhje të makinave në zonën e Liqenit të Farkës.

Në një periudhë prej më pak se 2 muajsh, policia ka zbardhur dhe dokumentar 6 vjedhje  nëpër parkingje. Në kuadër të operacionit të koduar "Liqeni", policia arrestoi shtetasin A. A., 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit: K. K., 32 vjeç i dënuar më parë për “Vjedhje".

Dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjeve të ndodhura në parkimet e automjeteve në zonën e liqenit të Farkës, ku pasi thyenin xhamat e automjeteve dhe bllokonin me një aparat valët e pultit për mbylljen e automjetit, merrnin nga mjetet sendet që ndodheshin brenda tyre.

Nga veprimet procedurale të kryera, si dhe bazuar në këqyrjen e pamjeve filmike të cilat u janë sekuestruar subjekteve pranë vendeve të vjedhjeve, dyshohet se këta dy shtetas janë autorë të 6 vjedhjeve të kryera më parë në automjete në zonën e liqenit të Farkës.

Vjedhjet e dokumentuara

– Më datë 17.09.2019 i kanë vjedhur portofolin shtetasit P. Ll.;

– Më datë 17.09.2019, shtetasit E. R., në  parkimin e një lokali në zonën liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga mjeti portofolin dhe një palë syze;

– Më datë 15.08.2019, shtetasit K. M., i kanë vjedhur nga automjeti i parkuar në zonën e liqenit të Farkës portofolin;

– Më datë 16.08.2019, shtetasit Z. P., i kanë vjedhur nga automjeti i parkuar në zonën e liqenit të Farkës një çantë;

– Më datë 30.08.2019, shtetasit D. S.,  në zonën e liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga automjeti dy çanta dore;

– Më datë 09.07.2019, shtetasit S. T., në zonën e liqenit të Farkës i kanë vjedhur nga automjeti sendet personale.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjeti që posedohej nga shtetasi A. A., një pult dhe një aparat i cili iu shërbente autorëve për bllokimin e valëve të pultit për mbylljen e automjeteve.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur./b.l/noa.al/