Transmetuar më 18-09-2019, 11:42

Prokuroria kërkoi sot 22 vite burg për Shkëlzen Hasanpapajn, i riu i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë Bledar Muçën dhe Florenc Çapjen.

Ngjarja ndodhi ne vitin 2016, në muajin qershor, ku sipas dosjes së prokurorisë, autori kishte më shumë se një orë që i ruante shënjestrat e tij ulur në një lokal përballë ish maternitetit.

Autori thuhet se qëlloi me breshëri në drejtim të mjetit tip golf dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Aksidentalisht në këtë atentat u plagos një ish policë.

Pretenca e prokurorisë u dha sot pa praninë e mediave. Mësohet se autori i ekstraduar nuk e ka pranuar krimin. Por prokuroria thotë se disponon kamerat të cilat e shfaqin atë duke u turrur tek rrugicat e lagjes Spajkorre pasi kreu krimin.

Kujtojmë që pas kryerjes së krimit i dyshuari Hasanpapaj është larguar në drejtim të Hollandës, ku dhe në këtë shtet është arrestuar dhe ekstraduar prej andej në Shqipëri. Hasanpapaj kurrë nuk i ka pranuar akuzat e prokurorisë së Elbasanit, por grupi i hetimit pretendon se një analizë ADN ka zbuluar identifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qëndër të Elbasanit.

Pritet që në seancën e rradhës të datës 1 tetor 2019 avokatët mbrojtës të shpalosin para gjykatës argumentat e tyre mbrojtës, ku ka shumë gjasa që të kërkojnë deklarimin e pafajshëm të Hasanpapaj.

Vetë ky i fundit ka qënë në sallën e gjyqit dhe e ka ndjekur me shumë vëmëndje pretencën e dy prokurorëve, ndërsa të Bledar Muça dhe Florenc Çapja nuk kanë qënë prezent. Çapja dhe Muça janë dy emra të njohur për policinë e Elbasanit dhe në kartotekën kriminale të kësaj policie kanë të renditura disa ngjarje ku dyshohet se kanë marë pjesë./b.l/noa.al/